Lajme

“Vetëvendosje është dyfishuar”, analisti politik jep parashikimin: Kjo është arsyeja pse nuk po ka zgjedhje – ja pse janë bërë bashkë LDK-AAK-NISMA e AKR

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë të dhënë ka deklaruar se, që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura në tetor të vitit të kaluar, partia e tij është dyfishuar.

Ai ka bërë me dije gjithashtu se edhe nëse bëhen të gjitha partitë tjera së bashku, përsëri Lëvizja Vetëvendosje, do të dal fituese.

Këtu kryeministri në detyrë iu referua një sondazhi të fundit.

“Sondazhi i fundit na nxjerr me 50.7% të votave, LDK me 17% dhe PDK me 12.4%. Kjo ka shkaktuar një panik të madh dhe i ka bërë të gjithë bashkë. Më 6 tetor kemi dalë të parët. Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja me ç’rast do t’i mundim edhe po u bënë bashkë që të gjithë”, deklaroi kryeministri në detyrë. “6 muaj e fundit VV është dyfishuar në krahasim me zgjedhjet e tetori kur doli e para. Kjo ka ndikuar të që gjithë të bëhen bashkë kundër nesh që të ruajnë ato privilegjet që kanë pasur pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë”, deklaroi kreu i VV-së.

E, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, duke e komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se ka rritje të Vetëvendosjes, ai ka thënë se ky subjekt ka rritje dhe se kjo nuk duhet të mohohet.

Sipas Mehmetit, LDK-AAK-NISMA e AKR po bëhen bashkë që të rrisin rejtingun në opinion, megjithatë konsideron se kjo duket se është e vështirë.

Faton Mehmeti

“Natyrisht se Vetëvendosje ka rritje, dhe kjo sigurisht se nuk mund të mohohet. Zaten edhe kjo është arsyeja kryesore që nuk po guxojnë partitë tjera të shkojnë në zgjedhje, pasi e dinë se çfarë i pret. Prandaj, janë bërë bashkë për të mundur të bëjnë diçka pozitive që të rrisin rejtingun në opinion, megjithatë duket se është e vështirë. Secila parti i bën sondazhet e veta, andaj edhe Kurti ka premisa të besueshme në atë që thotë”, ka thënë Mehmeti.

Ai me tej, ka potencuar se partia e Isa Mustafës duhet të bëjë shumë gjëra pozitive që të mund të fitojë përsëri besimin e saj të rrënuar si kurrë më parë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të bëjë shumë gjëra pozitive që të mund të fitojë përsëri besimin e saj të rrënuar si kurrë më parë, derisa AAK dhe NISMA janë parti drejt shuarjes, që nuk kanë jetë të gjatë në skenën politike”, ka potencuar ai.

Krejt në fund, Mehmeti thekson se koalicioni që pretendon të qeverisë me vendin, duhet të bëjë shumë punë, por, është skeptik, pasi thotë se është vështirë të besohet kur dihet kuadrot e dobëta që kanë NISMA e Fatmir Limajt dhe AKR-ja e Behgjet Pacollit.

“Koalicioni qeverisës i ri nëse arrin të merr votat e duhura, duhet të bëjë shumë punë të mira, megjithatë është vështirë të besohet kur dihet se sidomos NISMA dhe AKR farë kuadro të dobët kanë. Kjo i shkon për shtati Lëvizja Vetëvendosje, e cila kurdo që bëhen zgjedhjet pritet të shënojë rritje, nëse eventualisht nuk ndodh ndonjë plasaritje brenda saj”, ka përfunduar analisti politik, Albin Kurti, për gazetën “Bota sot”.

Burimi

Back to top button