Lajme

Vjosa Osmani: Edhe zogjtë e dinë që kam më shumë qëndrime të përbashkëta me kryeministrin sesa presidentin

Vjosa Osmani ka folur për raportet e saj mes Hashim Thaçit e Albin Kurtit.

Osmani para gazetarëve ka thënë në mënyrë figurative që tashmë edhe zogjtë e dinë që ka qëndrime më të përbashkëta me kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurti sesa me presidentin, Hashim Thaçi.

“Botërisht është e ditur se unë kam mos pajtime të thella, për mënyrë se si ai e bën politikën dhe si e përfaqëson vendin presidenti Thaçi kurse kam shumë më pak mospajtime e shumë më shumë qëndrime të përbashkëta me kryeministrin aktual, besoj që këtë edhe zogjtë e dinë”, ka thënë Osmani para gazetarëve.

Kryetarja e Kuvendit, ka theksuar nevojën e një bashkëpunimi ndërinstitucional mes tri institucioneve më të larta të vendit.

“Unë besoj shumë që bashkëpunimi ndërinstitucional pavarësisht opinioneve personale që mund ti kemi ndaj njëri-tjetrit është tejet me rëndësi ndërmjet tri institucioneve të vendit – si kryetare e Kuvendit kam shprehur këtë gatishmëri edhe tek institucionet tjera tek Qeveria dhe presidenca”, ka thënë Osmani pas mbledhjes së kryesisë kur u pyet për raportet mes Kuvendit, presidencës e qeverisë, përcjell Insajderi.

Osmani ka thënë se si kryetare e Kuvendit është anashkaluar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Sa i përket raporteve me presidentin nuk ka pasur ndonjë gatishmëri, kërkesë nga ana e presidentit ndonjëherë që të takohemi bashkërendojmë cilindo vendim. Madje as për çështje të rëndësisë nacionale, bile ju e dini që për tema të rëndësisë nacionale presidenti i ka ftuar krerët e partive, por jo krerët e institucioneve gjithnjë më ka anashkaluar mua si kryetare e Kuvendit”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, përcjell Insajderi.

Mes tjerash, e para e Kuvendit është shprehur se presidenti i vendit nuk e ka ftuar asnjëherë në takim. Madje, sipas saj pati një rast kur nga Thaçi u urdhërua një mbajtje të seancës e ku ai do t’ju drejtohej deputetëve.

“Ai ka bërë njëherë një kërkesë, në fakt ka qenë si një lloj urdhri që të vinte në Kuvend në një datë dhe kohë t ë caktuar – pra duke iu imopnuar momenti Kuvendit, natyrisht që unë e kam njoftuar dhe pas miratimit të kryesisë që ai mund të vinte kurdo gjatë muajit mars në një kohë që Kuvendi do të mund të përgatitej, mirëpo nuk ka pasur asnjë përgjigje apo gatishmëri të tij që të vinte gjatë marsit dhe të fliste në Kuvend sepse Kushtetuta parasheh që ai flet e ne ti bëjmë pyetje”, ka shtuar Osmani./GazetaInsajderi

Burimi

Back to top button