Lajme

Vjosa Osmani për premierën e filmit “Zgjoi” në Prishtinë: Sukseset e kinematografisë sonë sa vijnë e bëhen më kolosale

Mbrëmë (e premte) është dhënë premierë filmi “Zgjoi” në Kosovë. Filmi i cili u transmetua në kinemanë më të madhe në vend, Cineplexx, shfaqi për herë të parë publikut shqiptar historinë e dhimbshme të grave nga Kosova në vitet e pas luftës – e që është tematika kryesore e filmit.

Pjesë e premierës kanë qenë emra të shumtë, figura publike si dhe krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Kjo e fundit publikoi të shtunën në faqen e saj zyrtare në Facebook disa fotografi nga premiera e filmit “Zgjoi”, duke vlerësuar lartë arritjet e ekipit të filmit dhe në veçanti regjisores Blerta Basholli.

Ky është postimi i saj (pa ndërhyrje):

“Nder e kënaqësi e veçantë që mbrëmë së bashku me ekipin e filmit “Zgjoi”, organizuam premierën e filmit në Kosovën tonë.
Kur një histori dhimbjeje, frymëzimi, sakrifice, përkushtimi, humbjeje e triumfi siç është historia e znj. Fahrije Hoti dhe e grave të Krushës vjen nën interpretimin maestral të aktorëve tanë të jashtëzakonshëm në krye me Yllka Gashin, e shfaqet në ekran me profesionalizëm nën regjinë e një regjisoreje të shkëlqyeshme si Blerta Basholli – rezultati final s’mund të ishte asgjë më pak se sa një krijimtari artistike për ta pasur zili edhe bota.
Ditë pas dite, sukseset e kinematografisë sonë sa vijnë e bëhen më kolosale. Nëpërmjet filmit, filmbërësit tanë po e tregojnë rrëfimin e Kosovës, dhimbjet, vuajtjet, sfidat, sukseset, të arriturat, kulturën, mendësinë, zhvillimin dhe historinë tonë. Ata tashmë janë ambasadorët tanë, nëpërmjet të cilëve Kosova po hap kapituj të ri të lavdisë!
Ju faleminderit që historinë tonë po e shndrisni me gjurmë të suksesit. Ju priftë e mbara”, ka shkruar Vjosa Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button