Lajme

Vuçiqi flet pas mbledhjes urgjente: Kërkojmë tërheqjen e të gjitha trupave nga veriu




Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar publikut serb pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd. Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq tha se Serbia kërkon tërheqjen e të gjitha trupave që po qëndrojnë në veri të Kosovës si dhe një përgjigje urgjente nga BE -ja për situatën. Vuçiq tha se ai e mori një propozim për zgjidhjen e situatës në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak dje, por se e refuzoi atë propozim, duke e quajtur poshtërues për Serbinë, transmeton Gazeta Express.

Në fillim të fjalimit të tij para publikut, Vuçiq foli për situatën në ushtrinë serbe, si dhe në Ministrinë e Brendshme. Kreu serb tha se ndër tjerash u analizua armatimi i ushtrisë dhe policisë.

Vuçiq e quajti aksion kriminal, pozicionimin e forcave speciale policore në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak për ta mbikqyrur zbatimin e vendimit të fundit të Qeverisë për reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve.

“Diskutuam për situatën në Kosovë, veçanërisht pas aksionit kriminal të Prishtinës dhe inkursionit të gjashtë në veri të Kosovës dhe Metohisë, me përdorimin e automjeteve të blinduara, armëve të gjata dhe ngacmime të qytetarëve”, tha Vuçiq.

“Ne kemi arritur në përfundime, Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së plotë për serbët në Kosovë dhe Metohi. Ne i konsiderojmë të papërshtatshme deklaratat në të cilat Beogradi dhe Prishtina barazohen. Serbia dëshiron ta vazhdojë dialogun, por nuk dëshiron të pranojë marrëveshje nga veprimet kriminale”, tha deklaroi Vuçiq.

Ai shtoi se këtë mëngjes bisedoi me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore, ambasadorët e Quintit se si duhet të duket një “zgjidhje kompromisi” për këtë çështje, duke theksuar se mori një propozim “të papranueshëm”.

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është kompromis, por një zgjidhje që do ta poshtëronte Serbinë. Është një zgjidhje me të cilën 70% e asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin në vijën administrative, ata do ta harronin, por do të prezantonin 20/30 përqind të masave. Kam marrë pëlqimin e Këshillit për refuzim. Unë e refuzova sepse jam lodhur nga politika e aktit të përfunduar dhe ju nuk mund të flisni kështu me Serbinë”, tha Vuçiq.

Ai po tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Serbi u pajtua që të kërkohet një përgjigje urgjente nga BE-ja, për t’iu kërkuar, ndër tjerash, edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi morën pjesë ministrat Nebojsha Stefanoviq, Aleksandar Vulin, si dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe kretori i BIA-s, Bratislav Gasiq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button